Secondary Adv

Sot miratohet vendimi, 250 mln lekë kompensim për transportin publik nga rritja e naftës

Operatorët e transportit urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës pritet të kompensohen me 50 lekë për litër karburanti për periudhën mars-maj 2026.

Qeveria pritet të miratojë në mbledhjen e sotme një skemë financiare mbështetëse për shoqëritë e transportit publik, me qëllim kompensimin e rritjes së kostove të karburantit në tregun e hidrokarbureve. 

 

Sipas projektvendimit të përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kompanitë e transportit do të përfitojnë kompensim në masën 50 lekë për çdo litër karburanti të konsumuar gjatë periudhës mars-maj 2026.

 

Formula e kompensimit do të bazohet në konsumin e karburantit për muajt mars, prill dhe maj 2026, por sasia që do të subvencionohet nuk mund të jetë më e lartë se konsumi i deklaruar në të njëjtën periudhë të vitit 2025 për secilën kompani transporti.

 

Efekti financiar arrin në 250 milionë lekë

Sipas përllogaritjeve të projektvendimit, efekti total financiar i skemës së kompensimit arrin në 250 milionë lekë.

Nga kjo shumë, 120 milionë lekë do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa 130 milionë lekë do të përballohen nga Bashkia e Tiranës për operatorët e transportit urban në kryeqytet.

 

Qeveria argumenton se masa synon të ndihmojë operatorët e transportit publik përballë rritjes së fortë të çmimeve të karburantit dhe të shmangë ndikimin direkt te qytetarët përmes rritjes së tarifave të biletave ose reduktimit të shërbimit.

 

Kompensimi për transportin urban dhe ndërqytetës

Skema pritet të përfshijë operatorët e transportit urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës në të gjithë vendin.

Procedurat konkrete, dokumentacioni që duhet të paraqitet dhe kriteret për përfitimin e kompensimit do të përcaktohen në vendimin përfundimtar të Këshillit të Ministrave.

 

Masat vijnë në një periudhë kur rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë ushtruar presion të fortë mbi kostot e sektorit të transportit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat